Daily Studit
Më shumë lëvizje migratore për të luftuar mungesën e krahut të punës: Ministri federal i Punës, Heil ka hartuar një sistem pikësh, i cili do të bëjë të mundur që njerëzit të vijnë shumë më thjesht në Gjermani.
Për të pasur të drejtën për aplikim në këtë lloj platforme, aplikantët duhet të përmbushin së pari dy kritere kryesore. Ata duhet të kenë minimalisht një kualifikim profesional 2-vjeçar dhe gjithashtu duhet të vërtetojnë që mund t’i mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës, pra të kenë një garanci financiare.
„Chancenkarte“: Sistemi i ri i pikëve
Pasi janë plotësuar këto dy kushte kryesore, fillon përllogaritja e pikëve sipas tabelës së ministrit. Aplikantët duhet të fitojnë minimalisht gjashtë pikë që të përfitojnë këtë lloj karte.
Katër pikë: Nëse aplikanti ose aplikantja disponon një diplomë të një shkolle profesionale ose universiteti, diploma këto që njihen në Gjermani, atëherë ai ose ajo fiton katër pikë. Ky skenar vlen edhe nëse nevojiten kualifikime të tjera për t’u njohur si shkollë ose diplomë.
Tri pikë: Tre pikë shtohen automatikisht, nëse aplikantët kanë të paktën tre vjet eksperiencë punë.
Dy pikë: Aplikantët, të cilët zotërojnë gjuhën gjermane në nivelin B2, marrin dy pikë. Dy pikë marrin gjithashtu edhe të interesuarit, të cilët janë më të rinj se 35 vjeç.
Një pikë: Një pikë shkon për ata, që dëshmojnë certifikatë B1 të gjuhës gjermane ose për ata, të cilët janë 39 vjeç ose më të rinj. Gjithashtu aplikantët dhe aplikantet, të cilët gjatë 5 viteve të fundit kanë qëndruar të paktën 6 muaj ligjërisht në Gjermani, e marrin një pikë. E njëjta gjë, vlen edhe për ata, të cilët kanë një „Paten“ ose „Patin“ në Republikën Federale Gjermane
Pas marrjes së kartës, qytetarëve të huaj do u jepet lejëqëndrim 1-vjeçar për të gjetur punë. Sipas planeve të qeverisë, bashkë me kartën e mundësive pritet të mundësohet për herë të parë në Gjermani nënshtetësia e dyfishtë apo koha për të marrë nënshtetësinë gjermane të reduktohet deri në 5 ose 3 vjet.
Hapi më i madh i deritanishëm është se qeveria e ka propozuar si projektligj në Parlamentin Gjerman, por pritet të miratohet nga të gjitha palët për të hyrë në fuqi. Duke qenë një shtet federal, edhe në qoftë se miratohet nga opozita, projektligji mund të hasë në rezistencën e qeverive lokale, veçanërisht asaj bavareze, e cila mban një qëndrim më konservator, kur bëhet fjalë për lëvizjet masive të emigrantëve të huaj.
Burimi: Tagesschau dhe Personalwirtschaft