top of page

Çfarë ndodh me Kartën Blu nëse largoheni nga puna?

Daily Studit

Humbja e punës është një ngjarje shumë stresuese, por bëhet edhe më shumë nëse jetoni në një vend të huaj dhe keni të bëni me dokumentacione të ndryshme. Si duhet të veproni nëse largoheni nga vendi i punës, gjatë qëndrimit në Gjermani me Kartën Blu?

Karta Blu e BE-së është një leje qëndrimi e përkohshme që vlen për të diplomuarit universitarë nga vendet joanëtare të BE-së.

Në përgjithësi ajo është e vlefshme për një periudhë kohore prej katër vjetësh. Nëse kontrata e punës vlen për më pak se katër vjet, Karta Blu lëshohet për aq sa zgjat kontrata e punës, plus tre muaj ekstra.

Në Gjermani, Karta Blu e BE-së ka qenë leja kryesore e qëndrimit për profesionistët e kualifikuar që nga 1 gushti 2012.

Për tu pajisur me një leje qëndrimi të tillë, duhet të keni një diplomë universitare dhe një kontratë me një pagë bruto vjetore minimale prej 56.400 €.

Për profesionet në fushën e matematikës, shkencave kompjuterike, shkencave natyrore, inxhinierisë dhe mjekësisë (përjashtuar stomatologjinë), në vitin 2023 zbatohet një pagë minimale vjetore bruto prej 43,992 €. Paga minimale vjetore ndryshon çdo vit.

A mund të humbisni lejen e qëndrimit nëse largoheni nga puna?

Ju nuk do ta humbni automatikisht Kartën Blu nëse humbni punën tuaj ose vendosni të transferoheni në një kompani tjetër.

Megjithatë, nëse ndërroni vendin e punës brenda dy viteve të para të punësimit në Gjermani, do t'ju duhet të merrni miratimin nga zyra e të huajve, e cila do të kontrollojë nëse plotësohen kushtet për lëshimin e një Karte Blu të re.

Nëse humbisni punën, keni një periudhë tre mujore në dispozicion, gjatë së cilës mund të kërkoni një pozicion tjetër për punësim të kualifikuar. Nëse gjeni një punë të re brenda kësaj kohe, atëherë do t'ju duhet të merrni një Kartë Blu të përditësuar me të dhënat tuaja të reja të punësimit.

Nëse nuk arrini të gjeni një punë të re brenda një afati kohor prej tre muajsh, mund të aplikoni për një Aufenthaltserlaubnis zur Arbeitsplatzsuche (leje qëndrimi me qëllim punësimin) - e cila mund të lëshohet për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh. Brenda kësaj periudhe, ju duhet të gjeni një punë që lidhet me profesionin tuaj.

bottom of page