top of page

Përmbledhje ditore: Çfarë po ndodh në Gjermani

Daily Studit

Shëndetësi: Greva në klinikat komunale
Sindikata e Mjekëve „Marburger Bund“ ka bërë thirrje ndaj mjekëve ditën e djeshme për grevë paralajmëruese gjatë të gjithë ditës, në tetë lande gjermane. Sipas Sindikatës, rastet e urgjencës janë menaxhuar me sukses, ndërkohë që shumë operacione, të cilat ishin planifikuar për këtë ditë, u anuluan.
Urbanistikë: Emergjencë banesash- disproporcion fshat-qytet
Me dyndjen e vazhdueshme të banorëve të rinj drejt qyteteve duket se situata sa vjen e po bëhet më alarmante. Edhe pse dikur objektivi i qeverisë ishte të ndërtonte 400.000 banesa të reja/vit në qytetet gjermane, çmimet e larta të materialeve të ndërtimit dhe mungesa e firmave të ndërtimit ka bërë që qeveria federale të bëjë një tjetër thirrje. Ajo iu kërkon tashmë qytetarëve të shpërngulen në zona rurale, duke qenë se më shumë se 1,3 milionë shtëpi në fshatra janë aktualisht bosh.
Natyrë: Katër nga pesë pemë janë të sëmura
Në çdo 5 pemë brenda territorit gjerman, vetëm një është plotësisht e shëndetshme. Ndryshimet klimaterike të verës së kaluar me valë të nxehti dhe thatësirë të madhe bënë që shumë lloje pemësh të mos merrnin sasinë e nevojshme të ujit dhe kripërave minerale. Pemët më të prekura nga këto ndryshime janë bredhi, pisha, ahu dhe dushku.
Mjedis: Rreziqe klimaterike në Gjermani
Në vitet e ardhshme, si shirat e rrëmbyeshëm, ashtu edhe përmbytjet mund të jenë nga problemet më të mëdha, me të cilat do të duhet të përballet Gjermania. Pavarësisht rezultateve të Institutit Meteorologjik, duket se shumë qytete dhe komuna janë të papërgatitura. Problemi nuk është vetëm tek instancat qeverisëse, por edhe tek njerëzit e thjeshtë, të cilët jo gjithmonë janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që iu kanosen. Megjithatë, duket se plane të shumta po fillojnë të vihen në zbatim.

Burimi: Tagesschau

bottom of page