top of page

Më shumë të sëmurë e raporte mjekësore në 2022

Daily Studit

Më shumë të diagnostikuar me Covid vitin e kaluar
Sipas analizës së Barmerit përqindja e raporteve mjekësore me diagnozë Covidin në krahasim me arsyet e tjera shëndetësore për të mos punuar ishte rritur ndjeshëm. Konkretisht, ndërkohë që në korrik të 2021, vetëm 0,9% e të gjitha raporteve kishin një lidhje me Covidin, kjo përqindje për korrikun e 2022 rezultoi të ishte 20,2%. Gjithashtu duket se kishte edhe ndryshime rajonale brenda përbrenda Gjermanisë për sa i përket personave të semurë: Landi (shteti federal) me përqindjen më të lartë ishte Sachsen-Anhalt. Thënë ndryshe, për çdo 1000 persona, 268 kanë marrë raport mjekësor. Për të njëjtën periudhë kohore, në Bavari ishin vetëm 202 persona.
2022: Viti rekord i raporteve shëndetësore
Rezultatet e kësaj analize u krahasuan edhe me studime të ngjashme nga kompani të tjera të siguracionit shëndetësor, si Techniker-Krankenkasse ose DAK-Gesundheit. Nga rezultatet e përgjithshme vihet re se nga këto tri kompani, 5,5% nga 2,4 milionë të siguruar janë deklaruar të sëmurë përgjatë vitit 2022. E në fakt kjo është vlera më e lartë e shënuar ndonjëherë që nga fillimi i këtyre analizave në 1997. Kompanitë deklarojnë se përgjegjëse për këtë lloj rritjeje janë sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes. Gjithashtu, përgjatë kohës së pandemisë, një pjesë shumë e madhe e personelit shëndetësor në spitale, veçanërisht infermierë kanë marrë raport shëndetësor. Sipas njërës prej kompanive të siguracionit shëndetësor, ndoshta kjo rritje në vlera vjen pjesërisht si rezultat edhe i mundësisë për ta marrë online raportin, pra i gjithë procesi realizohet nga shtëpia.

Burimi: Tagesschau

bottom of page